Plazhet, si do ti përdorin strategjikët, projektvendimi për marrëveshjen me shtetin
Draft-marrëveshja e re përcakton se investitorët strategjikë fitojnë të drejtën e përdorimit të plazhit sapo të vënë në funksion strukturën akomoduese, me pagesë vjetore sipas tarifave të këshillave bashkiakë.
E drejta mbi plazhin pas vënies në funksion të strukturës
Investitorët strategjikë do të kenë prioritet në përdorimin e plazheve, në përputhje me rregulloren e miratuar pak javë më parë. Tashmë qeveria ka hedhur për konsultim publik projektvendimin që përmban draft-marrëveshjen tip që do të nënshkruhet me këtë kategori investitorësh.
Sipas nenit 4 të marrëveshjes, e drejta për përdorimin e brigjeve të deteve, liqeneve dhe lumenjve si stacione plazhi lind nga momenti kur investitori strategjik vë në funksion strukturën akomoduese. Duke nisur nga kjo datë, përfituesi gëzon të drejtën e përdorimit kundrejt pagesës vjetore të tarifës.
Tarifa vjetore dhe mënyra e pagesës
Pagesa vjetore për përdorimin e brigjeve si stacione plazhi është e barabartë me tarifën e përcaktuar nga Këshilli Bashkiak përkatës në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes. Kjo tarifë mund të ndryshojë në varësi të rishikimeve periodike të vendosura nga këshilli bashkiak.
Brenda muajit tetor të çdo viti, përfituesi i dërgon përdoruesit faturën për arkëtim, ndërsa përdoruesi duhet të kryejë pagesën brenda 30 ditëve nga marrja e saj.
Detyrimet, penalitetet dhe zgjidhja e kontratës
Marrëveshja parashikon qartë të drejtat dhe detyrimet e dhënësit dhe të përdoruesit, si dhe mënyrën e trajtimit të mosmarrëveshjeve. Në rast se pagesa nuk kryhet në kohë, neni 9 përcakton se dhënësi, përmes një njoftimi me shkrim, i jep përdoruesit një afat jo më të shkurtër se 30 ditë kalendarike për të korrigjuar mospërmbushjen.
Nëse pas këtij afati përdoruesi nuk përmbush detyrimin për pagesën e tarifës, dhënësi ka të drejtë të zgjidhë menjëherë marrëveshjen për shkak të mosrespektimit të detyrimeve kontraktore.
Shtojcat dhe kushtet teknike
Draft-marrëveshja përfshin edhe shtojca teknike, ku parashikohen elementë të tillë si vendosja e kullave të vrojtimit në plazh dhe pajisjet minimale që duhet të disponohen. Këto kushte synojnë standardizimin e shërbimit dhe garantimin e sigurisë për pushuesit gjatë sezonit turistik.